VIDEO/ Portugalia shpërdoron, Hazard jo! Belgjikë-Itali në çerekfinale

schedule22:56 - 27 Qershor, 2021

schedule 22:56 - 27 Qershor, 2021

Një eurogol i Thorgan Hazard i mjaftoi Belgjikës për të mposhtur 1-0 Portugalinë në Sevilla të Spanjës. “Djajtë e Kuq” në çerekfinalet e Euro 2020 ku do të sfidojnë Italinë e Roberto Mancinit, teksa eliminohen luzitanët e Cristiano Ronaldos, që ishte skuadra kampione në fuqi.

Gjithçka u vendos nga goli shumë i bukur i Thorgan Hazard në fundin e pjesës së parë (42′). Fantazisti i Dortmund lëshoi një goditje fantastike me të djathtën, që përfundoi në rrjetën e Portugalisë.

Kombëtarja e Fernando Santos luajti më mirë, krijoi raste të rrezikshme (23 raste për gol, rekord) dhe kërkoi deri në fund barazimin, por CR7, Diogo Jota, Guerreiro dhe Andres Silva nuk ia dolën të shënojnë.

Belgjika u shfaq cinike, menaxhoi avantazhin dhe siguroi kalimin në tetë kombëtaret më të mira të Euro 2020. Italia do të jetë pengesa për një biletë në gjysmëfinale, një sfidë e zjarrtë dhe tepër e fortë që do të luhet më 2 korrik në “Allianz Arena” të Mynihut. /abcnews.al