LEZHË- Mbrëmjen e së dielës, një 30-vjeçar mbeti i plagosur nga breshëria e plumbave në një berberhanë në Lezhë. Plumbat prekën të riun Sokol Daci, i cili aktualisht ndodhen në Spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga hetimet paraprake, rezulton se dy automjete janë afruar nga segmenti Lezhë -Rrilë dhe në tokë kanë zbritur dy persona, të cilët kanë qëlluar me breshëri armësh në diagonale, ndërsa brenda ambienteve që shërbente si berberhanë ndodheshin katër persona.
Distanca e gjuajtjes nuk ka qenë më shumë se katër metra dhe duket se objektiv ka qenë më shumë se një person.
Po ashtu, ka dyshime se nga brenda ambienteve të berberhanës është qëlluar në drejtim të autorëve, pasi disa prej plumbave kanë prekur një godinë dy katëshe me biznese që ndodhej përballë berberhanes.
ABC News sjell pamjet nga vendi i ngjarjes. Aty shquhen qartë shenjat e plumbave, të cilët kanë bërë “shoshë” berberhanën ku punonte 30-vjeçari si dhe ambientet e biznesit përballë.
Detaji i fundit ka përforcuar dyshimin e grupit hetimor se mund të ketë patur kundërpërgjigje me zjarr edhe nga personat, të cilët kanë qenë brenda berberhanës. Policia ka dyshime se mund të jetë një tjetër person i plagosur. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes/abcnews.al


