Bayern Munchen arriti një fitore spektakolare kundër Dortmund. Kampionët në fuqi fituan 4-2 në Bavari kundër verdhezinjve dhe vijojnë të kryesojnë Bundesligën me dy pikë më shumë se Leipzigu ndjekës.
Sfida e luajtur në “Allianz Arena” ishte spektakolare, teksa pati edhe përmbysje. Miqtë e nisën shumë mirë takimin, kjo falë një super Erling Haaland. 20-vjeçari norvegjez gjeti rrjetën pas 74 sekondave. Goditja potente përfundoi në rrjetë, ndërsa në minutën e nëntë erdhi edhe dyfishimi.
A Lewandowski hat-trick crowns a comeback win for Bayern and puts them back in first place ?#DerKlassiker #FCBBVB pic.twitter.com/Qkk5PBBNsK
— Bundesliga English (@Bundesliga_EN) March 6, 2021
Asist i Thorgan Hazard nga krahu i majtë dhe sërish gol i Haaland, i cili numëron 19 gola në kampionat këtë sezon. Bayerni u zgjua dhe e dominoi pjesën e mbetur të ndeshjes. Robert Lewandowski shkurtoi rezultatin në minutën e 26-të.
Veprim i bukur i Sane në krahun e djathtë dhe asist në zonë, aty ku polaku nuk fali. Bayerni shtoi presionin dhe Coman fitoi një penallti në minutën e 44-t, të cilën Lewandowski e ktheu në gol. Bavarezët e Flick dominuan edhe fraksionin e dytë të ndeshjes, teksa golat e fitores erdhën në fund.
Leon Goretzka goditi fluturimthi në minutën e 88-të dhe topi në rrjetë. Bayerni nuk u mjaftua me aq dhe kompletoi suksesin me “poker” në minutën e fundit. Lewandowski finalizoi një kundërsulm të shpejtë të ekipit të tij dhe gjeti golin e tretë personal në “Klassiker”.
Goli numër 31 sezonal në Bundesligë për sulmuesin 32-vjeçar, i cili po kalon një formë të shkëlqyer. Fitorja e sotme e ka ngjitur Bayernin në kuotën e 55 pikëve. Leipzigu numëron dy pikë më pak dhe gara për titullin kampion vazhdon të jetë e fortë dhe e bukur. Dortmundi mbetet forcë e gjashtë. /abcnews.al