Përmbysje e çmendur dhe fitore dramatike për Interin. Zikaltrit po humbisnin 0-2 në “San Siro” kundër Torinos deri në minutën e 62-të, por Alexis Sanchez, Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez i dhuruan tre pikë tepër të rëndësishme Interit falë triumfit 4-2.
Sfida u zhbllokua në minutat shtesë të pjesës së parë. Aksion i bukur i Torinos, asist me finte i Meite dhe goditje potente e Simone Zaza (goli i parë në kampionat për këtë sezon). Dyfishimi erdhi pas një ore lojë. Miqtë fituan një penallti dhe Ansaldi nuk gaboi nga pika e bardhë.
Interi reagoi dhe Alexis Sanchez rihapi takimin në minutën e 64-t. Tre minuta më vonë erdhi edhe goli i barazimit. Asist i Sanchez dhe finalizim i Romelu Lukakut. Vendasit morën zemër dhe në minutën e 84-t gjetën golin e avantazhit.
Penallti për Interin dhe goditje e saktë e Lukakut, i cili është ngjitur në kuotën e 7 golave në kampionat, ndërsa zikaltrit numërojnë 15 pikë, tre më pak se Sassuolo e vendit të parë. Në minutën e fundit erdhi edhe goli i katërt nga Lautaro Martinez.

Sassuolo vazhdon të konfirmohet si surpriza më e bukur e këtij sezoni në Serie A. Djemtë e De Zerbit fituan 0-2 në një fushë të vështirë si ajo e Hellas Veronës dhe janë ngjitur përkohësisht në krye të renditjes pas javës së tetë.
Jeremie Boga i dhuroi avantazhin miqve në fundin e pjesës së parë, ndërsa Domenico Berardi vulosi suksesin e Sassuolos me golin e shënuar çerek ore para fundit të takimit. Feston edhe Roma në “Olimpico”. Verdhekuqtë mposhtën 3-0 Parmën, me të tre golat që u shënuan në pjesën e parë.
Spanjolli Borja Mayoral zhbllokoi sfidën, teksa më pas erdhi dygolëshi i armenit Mkhitaryan, ku duhet theksuar se i pari është eurogol. Sfida tjetër Sampdoria-Bologna u mbyll me suksesin 1-2 të miqve, ndërsa në drekë u luajt edhe Fiorentina-Benevento, takim që përfundoi 0-1 për djemtë e Pippo Inzaghit. /abcnews.al