Polonia dhe Spanja janë ndarë në barazim 1-1 sonte pas një ndeshje mes të barabartësh dhe emocionesh të mëdha. Polonia tregoi se është një skuadër mjaft serioze dhe e fortë dhe i bëri ballë, madje provoi ta mundte Spanjën.
Lewandowski me shokë e nisën vrullshëm dhe humbën një rast të pastër me Klich pas 5 minutash lojë. Gjithsesi, Spanja e gjeti golin e para me Alvaro Moratan, që finalizoi bukur një pasim perfekt të Gerard Morenos. Pas golit të pësuar Polonia ishte më ofensive.
Swiderski humbi një rast mjaft të pastër në minutën e 35-të. Po i njëjti lojtar goditi shtyllën në të 43-tën dhe më pas Lewandowski nuk shfrytëzoi topin e kthyer, duke mbyllur pjesën e parë me avantazhin e Spanjës, që humbi një mundësi me Gerard Moreno në minutën e fundit të kohës së rregullt.
Në pjesën e dytë Polonia mundi të shënojë në rastin e parë që iu dha. Ishte Robert Lewandowski, ylli i ekipit, që tundi rrjetën me kokë, pasi fitoi duelin me Laporte në minutën e 54-t. Spanja nisi sferën nga mesfusha dhe në aksionin e parë pas golit fitoi penallti.
? Poland goalscorer Robert Lewandowski ??#EURO2020 pic.twitter.com/1ur9CIXfsI
— UEFA Nations League (@EURO2024) June 19, 2021
Gerard Moreno e goditi dhe gaboi, duke rrokur shtyllën, me Moratën që gabon çuditërisht të shënojë pas topit të kthyer. Në pjesën e mbetur të lojës Spanja vazhdoi të dominojë dhe krijoi raste pafund, por lojtarët e Spanjës, me në krye Moratan humbën gjithë rastet.
Kështu e gjithë ndeshja u mbyll me shifrat 1-1, një barazim, që i kthen në “luftë” ndeshjet e fundit. Spanja ndodhet në vendin e tretë me 2 pikë dhe i duhet me patjetër fitorja në ndeshjen e fundit në grup ndaj Sllovakisë. Ndërkohë, Polonia renditet e fundit me 1 pikë dhe luan ndeshjen e fundit me Suedinë kryesuese. /abcnews.al