VIDEO/ PD merr OK nga aleatët, Ivi Kaso shpjegon ndryshimet në ligjin zgjedhor

schedule16:23 - 7 Janar, 2020

schedule 16:23 - 7 Janar, 2020

Opozita është drejtë finalizimit dhe prezantimit të draftit të saj për reformën zgjedhor. Por pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të aleatëve, drafti i ekspertëve nuk përmban propozim për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Në një intervistë për ABC News, Sekretari Zgjedhor i PD, Ivi Kaso thekson se ky ndryshim do të diskutohet në një moment të dytë. Dakordësinë për t’u tërhequr nga kjo kërkesë e konfirmon edhe aleati i Bashës, Dashamir Shehi.


Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë kanë gjetur dakordësinë për ndryshimet që do të propozojnë për Kodin e Ri Zgjedhor. Pas një takimi që do të mbahet pasditen e të mërkurës në selinë blu, opozita do të jetë e gatshme të bëj publike edhe draftin e saj, i cili do t’i vendoset në dispozicion edhe ndërkombëtarëve por jo përfaqsuesve të shumicës.

“Eshtë detyrim i opozitës që ndryshimet ti bëjë publike për shqiptarët, së dyti me ndërkombëtarët, ndaj nuk shoh nevoje për t’ia përcjell zyrtarisht një komisioni ilegjitim”, tha ai. 

Sekretari Zgjedhor i PD, Ivi Kaso nuk jep afate se kur mund të miratohet në parlament Kodi i ri zgjedhor, por maxhorancës i kujton një tjetër afat për çeljen e negociatave.

Eksperti zgjedhor i demokratëve është i bindur se opozita do të dal me një draft konsensual, ndërkohë që pranon se çështja e sistemit zgjedhor do diskutohet në një moment të dytë.

“Aspekte të tjera madhore kërkonin ndryshime kushtetuese edhe diskutimi mbi sistemin sigurisht mund ti përkasë një momenti tjeter”, shtoi Kaso.

Tërheqjen e kanë pranuar edhe aleatët e PD, të cilët kanë qënë të parët që folën për ndryshimet kushtetuese.  Kryetarin e LZHK-së, Dashamir Shehi nuk e entuziazmon propozimi i ardhur nga shoqëria civile për një sistem me lista të hapura, ndonëse nuk e fsheh dëshirën për një përballje kombëtare.

Ndryshimet në politikë sipas Shehit duhet të jenë rrënjësore ndaj edhe kreut të demokratëve Basha i kërkon të mos tërhiqet nga slogani i zgjedhjeve të 2017.

Opozita ka premtuar se pas finalizimit të draftit të saj për reformën zgjedhore do ti hapin rrugë një debati dhe konsultimi publik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!