VIDEO/ Nokauti i dytë, Teuta është “makthi” i Tiranës në finale

schedule21:48 - 31 Gusht, 2020

schedule 21:48 - 31 Gusht, 2020

Është mbyllur takimi mes Teutës dhe Tiranës, sfidë finale e Superkupës së Shqipërisë. Ishin “Djemtë e Detit” ata që triumfuan me rezultatin e ngushtë 2-1, duke i dhënë nokautin e dytë radhazi bardhebluve pas fitores në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Të dy golat për ekipin e drejtuar nga Edi Martini, i shënoi sulmuesi shkodran, Rubin Hebaj. Fillimisht, numri 20 i Teutës shënoi pas një pasigurie të portierit të Tiranës, Ilion Lika. Avdyli gjuan fort nga distanca nga një goditje dënimi dhe Lika nuk arrin të neutralizojë sferën, me Hebajn që ndodhet në vendin e kohën e duhur për të përfituar.

Ndërsa në minutën e 33-të, bomberi shkodran shënoi dhe golin e dytë personal. Teuta fiton një penallti dhe talenti Lorenco Vila merr topin në duar për ta ekzekutuar. Gjuajtja e numrit 10 ndalet nga Ilion Lika, por topi, si “magnet”, shkon sërish te Hebaj, që shënon me lehtësi.

Në pjesën e dytë, Tirana u mundua të reagojë dhe krijoi disa raste, por goli do të vinte vetëm në minutën e 78-të. Nuk ishte një gol dosido, por një “perlë” e realizuar nga talenti Jurgen Vrapi, i cili u fut në fushë në fraksionin e dytë të lojës.

https://streamable.com/30qcwm

Teuta e mbylli ndeshjen edhe me një futbollist më pak, pasi kapiteni Renato Arapi, u ndëshkua dy herë me të verdhë. “Djemtë e Detit” duket se janë “makthi” i Tiranës në finale, pasi edhe në Kupën e Shqipërisë, edhe në Superkupën e Shqipërisë, kanë dalë fitimtarë./abcnews.al

https://streamable.com/33u50u

Superkupa e Shqipërisë

Teuta – Tirana 2-1
Hebaj 21’ 33’ / Vrapi 78’

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!