Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

VIDEO/ Nga Shkodra në Vlorë, si u kremtua festa e Fitër Bajramit në qytetet e vendit

schedule09:41 - 20 Mars, 2026

schedule 09:41 - 20 Mars, 2026

SHQIPËRI- Festa e Fitër Bajramit si kudo tjetër në botë, u kremtua në të gjithë Shqipërinë. Besimtarët pas një muaji sakrifice iu drejtuan mëngjesin e kësaj të premteje xhamive për të falur namazin e Fitër Bajramit.

Festa bëri bashkë besimtarët myslimanë, të cilët uruan njëri tjetrin për paqe, mbarësi, shëndet dhe begati në familjet e tyre.

Si u festua Fitër Bajrami në qytetet e Shqipërisë



GJIROKASTËR

Besimtarët myslimanë në Gjirokastër kanë kremtuar ditën e Fitër Bajramit. Mëngjesin e sotëm në mjediset e Pallatit të Sportit u zhvillua falja e kësaj dite të shenjtë. Faljen e namazit e ka drejtuar myftiu i Gjirokastrës, Ermin Gjana.

Besimtarët janë lutur për më shumë paqe dhe harmoni. Pjesë e lutjes së Fitër Bajramit ishte edhe situata aktuale në botë dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Më pas për besimtarët janë shpërndarë ëmbëlsirat e festës .Pjesë e festimeve të Ditës së Fitër Bajramit në Gjirokastër është edhe pritja e organizuar nga myftinia si dhe vizitat e besimtarëve në familjet e njeri-tjetrit.

VLORË

Qindra besimtarë vlonjatë, por edhe të huaj, janë mbledhur mëngjesin e sotëm pranë Pallatit të Sportit në Vlorë për të falur namazin e Fitër Bajramit. Pas një muaji sakrifice, agjërimi dhe lutjesh gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët kanë festuar këtë ditë të rëndësishme për besimin mysliman.

Në këtë ceremoni është vënë re edhe pjesëmarrja e lartë e grave dhe të rinjve, të cilët i janë bashkuar faljes në një atmosferë përkushtimi dhe solidariteti. Ceremonia ka nisur me leximin e Kuranit

Në fjalën e tij, myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallari, ka uruar të gjithë besimtarët për këtë festë të madhe, duke theksuar rëndësinë e paqes, begatisë dhe solidaritetit në këto kohë të vështira.

Ai u bëri thirrje besimtarëve të tregojnë më shumë sinqeritet, të ndihmojnë ata në nevojë dhe të mos harrojnë vlerat e sakrificës dhe humanizmit.

Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të Ramazanit dhe është një moment reflektimi, falënderimi dhe bashkimi për të gjithë besimtarët myslimanë.

SHKODËR

Falja e Namazit të Bajramit në Shkodër është zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit, ku besimtarë të shumtë janë mbledhur për të kryer këtë rit të rëndësishëm fetar.

Ceremonia është drejtuar nga zëvendësmyftiu i Shkodrës, teologu Arben Hallunaj, i cili ka përcjellë mesazhe paqeje, harmonie dhe solidariteti për të gjithë besimtarët me rastin e kësaj feste.

FIER

Fier, qindra besimtarë mbushen sheshin qendror për faljen e namazit të Bajramit, agjëruesit dhuruan pako me ushqime 2000 familje në nevojë

Namazi i Fitër Bajramit në Fier mblodhi qindra besimtarë në sheshin qendror. Falja u bë në orën 6:30 minuta dhe u pasua me ligjëratat përkatëse nga myftiu Mikel Azizolli dhe imami i xhamisë së Libofshës Albert Kanani.

“Qëllimi nuk ishte të mbeteshim pa ushqim, por të ulnim egon tonë për t’ju afruar Zotit”, e mbylli ligjëratën Mikel Azizolli

Besimtarë edhe nga zonat rurale morën pjesë në faljen e namazit të Fitër Bajramit. Imami i xhamisë së Rreth Libofshës Albert Kanani, tha se muaji i Ramazanit i bën besimtarët më të ndjeshëm dhe të devotshëm.

Dita e parë e Fitër Bajramit shënon festën më të madhe për myslimanët. Pas agjërimit, besimtarët dhurojnë sadakanë e Fitrit, pako me ushqime për familjet në nevojë. Qëllimi është që Bajrami të festohet edhe në familjet e varfra, kurse për agjëruesit kjo bamirësi përmbush detyrimet e muajit të shenjtë.

Në xhamitë e Fierit, këtë Bajram u shpërndanë ushqime për 2000 familje në nevojë. Sadakaja e Fitrit në thelb është mesazhi kryesor i muajit të Ramazanit, ndaj dhe festa quhet Fitër Bajram.

KRUJË

Atmosfera festive e Fitër Bajramit ka mbizotëruar ngado në sheshet dhe xhamitë e Krujës dhe zonave përreth saj. Rreth 5 mijë besimtarë mes të cilëve fëmijë dhe femra kanë marrë pjesë në ceremoninë e Fitër Bajramit në stadiumin e qytetit të Fushë Krujës.

Drejtuan ligjëratën dy hoxhallarët Muharrem Vrana dhe Dritan Rrahmani ndërsa ftoi besimtarët myslimanë dhe njerëzit vullnet mirë që të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidare e sa më të shëndoshë. Është koha që të angazhohemi maksimalisht që të punojmë së bashku për t’ju larguar veseve negative dhe të shtojmë sa më tepër dashurinë mes njëri tjetrit.

Muaj Ramazanit në Fushë Krujë ishte dëshmi e qartë e besimit dhe vullnetit në solidaritet dhe harmoni të plotë me njëri tjetrin. Fushë Kruja është një shembull i mirë i paqes dhe harmonisë fetare, shembull i besimit në vepra të mira.

ELBASAN

Falja e namazit të Fitër Bajramit është zhvilluar edhe në qytetin e Elbasanit, ku besimtarë të shumtë janë mbledhur për të kremtuar këtë ditë të shenjtë.

Ceremonia është drejtuar nga myftiu i Elbasanit, Agim Duka, i cili ka përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe përkushtimi shpirtëror për besimtarët me rastin e Fitër Bajramit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!