Andi Lila sezonin e shkuar i dha fund përfundimisht futbollit dhe nisi aktivizimin jashtë fushës, duke krijuar Sindikatën e Futbollistëve, teksa së fundmi ai është bërë pjesë e politikës përmes Partisë Demokratike.
Përtej kësaj ai i kushton rëndësi futbollit dhe së fundmi denoncon ashpër trajtimin e stadiumit “Besa” të Kavajës i cili prej vitesh nuk është në gjendje të presë ndeshje dhe nuk vihet ende dorë mbi të dhe aktualisht është shndërruar në kullotë për bagëtitë.
Andi Lila kërkon ndërhyrjen e bashkisë së Kavajës për të rregulluar arenën ku ai e lojtarë të tjerë të mëdhenj kanë hedhur hapat e parë në karrierë.
POSTIMI – Te nderuar miq, kjo qe shikoni në këtë video nuk është stadiumi i ndonjë qyteti fantazëm, por tadiumi “Besa”. I skuadrës Besa e Kavajës, e cila konkurron për të qenë pjesë e Kategorisë Superiore.
Është stadiumi i një qyteti që konsiderohet “djep i futbollit”. Është stadiumi, i cili u ndërtua për të nderuar ata qindra futbollistë kavajas, të cilët me talentin e sakrificën e tyre e bënë Besën të madhe në baltën e “fushës se vjetër”.
Është stadiumi, i cili pa traditën e futbollit te bukur kavajas të zhvillohej më tej. Është stadiumi, fusha e të cilit mbart djersën dhe sakrificën e shumë futbollisteve kavajas, por edhe shumë futbollisteve të tjerë që kanë luajtur për Besen e Kavajës.
View this post on Instagram
Ky stadium ka parë të luajnë në të emra të mëdhenj të futbollit kavajas. Kush nuk i njeh këto mbiemra te futbollit kavajas si Merhori, Karriqi, Teliti, Bajaziti, Pagria, Duro, Shtini, Biturku, Rraklli, Rrica, Cikalleshi e shumë e shumë të tjerë të cilëve ju kërkoj ndjese, pasi nuk mund t’i përmend të gjithë.
Ky stadium i cili është bere shtëpia e shumë futbollistëve shqiptarë nga të gjithë trevat shqiptare. Në këtë stadium kanë derdhur djersë futbollistë si Berisha, Murriqi, Nuhiu, Dragusha, Fejzullai e shumë të tjerë.
Ky stadium është tempulli i tifozerisë së mrekullueshme kavajase. Sot stadiumi “Besa” ka “vdekur” pasi në fushën e tij prej disa vitesh nuk sheh më futbollistë, por sheh të kullosin dele.
Si duhet të ndjehen sot ata qindra futbollistë kavajas apo edhe ata që kanë kontribuar për Besën e Kavajës kur të shohin këtë video. Si do të ndihen futbollistët kur të shohin që fusha që ata dje e kanë larë me djersë sot delet e lajnë me shu***ë.
Si ndihen tifozët kavajas kur shohin këtë pamje apo edhe Xha Kasemi me daullen e tij që shikon nga lart. Sigurisht që futbollistët dhe tifozët ndjejnë vetëm dhimbje. Por ata që kanë përgjegjësi për këtë situatë duhet t’ju vijë turp.
Në radhe të parë Bashkia Kavajë, e cila e ka në pronësi këtë stadium. Në çdo rast që përmendet stadiumi “Besa”, bashkia na tregon stadiumin e ri në 3D dhe thotë muajin tjetër fillojnë punimet.
Këto janë dhe mbeten premtime elektorale pasi jo vetëm që nuk po ndërtohet asnjë stadium i ri, por edhe stadiumi i vjetër po degradohet deri ne shkatërrim të plotë. Ky është vizioni i bashkisë Kavajë për zhvillimin e sportit. Kjo mënyrë veprimi duhet të ndërpritet urgjentisht. /abcnews.al