Mallorca ka arritur të mposhtë me rezultatin minimal skuadrën e Atletico Madrid në takimin e javës së 31-të të La Liga.
Goli i Vedat Muriqit i shënuar me penallti në minutën e 68-të do t’i jepte fitores skuadrës së tij, ndërsa do të “vriste” kështu skuadrën e Diego Simeones.
Humbja e sotme i kushton shumë Atleticos pasi në këtë mënyrë i ka dorëzuar skuadrës së Barcelonës vendin e 3-të, teksa kjo e fundit ka dy ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Ky 3 pikësh është shumë i rëndësishëm për Mallorcan në garën për mbijetesë, pasi tashmë shkon në kuotën e 29 pikëve e pozicionuar në vendin e 17-të në tabelën e klasifikimit, ndërsa Atletico mbetet në kuotën e 54 pikëve në vendin e 4-të.
Fitore më parë ka arritur edhe Betis ndaj skuadrës së Cadiz, pasi e mposhti këtë të fundit me shifrat 2-1. Një humbje që dhemb për skuadrën e Cadiz pasi mbetet në zonën e ftohtë të renditjes duke rrezikuar edhe rënien në një kategori më poshtë, pasi ka arritur të grumbullojë 28 pikë në vendin e 18-të.
Pas kësaj fitoreje Betis shkon në kuotën e 56 pikëve, në vendin e 5-të, pozicion që të çon në Europa League sezonin e ardhshëm. /f.a/abcnews.al