ABC News siguron videon e grabitjes së ndodhur ditën e djeshme në një lokal 50 metra pranë Bashkisë së Durrësit. Dy të rinjtë e maskuar futen në lokal të pashqetësuar dhe ecin drejt banakut.
Ata kontrollojnë të gjithë sirtarët dhe dollapet e banakut për të gjetur para nga xhiro ditore e lokalit. Dy të rinjtë e moshave 17 dhe 21 vjeç sipas policisë kanë marrë nga lokali 10 mijë lekë të reja.
Anxhelo Dollaku, 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” është arrestuar nga policia ndërsa është proceduar në gjëndje të lirë shtetasi E.Xh, 17 vjeç.
Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas, gjatë këtij muaji në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, në lokale dhe një dyqan të një kompanie celulare, ku kanë marrë sasi të konsiderueshme parash, aparte celular e sende të tjera.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një thikë, një levë hekuri dhe një maskë.
Tashmë materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al