ABC News ka siguruar videon ku avokati Sokol Mëngjesi u dhunua nga 3 persona. Pasi la djalin e tij në kopsht, teksa del në derën kryesore, Mëngjesit i afrohen 3 persona dhe e godasin.
Avokati u sulmua fizikisht nga persona të cilët kishin vendosur kapele në kokë. Dorian Alia, i cili u vetëdorëzua ka dëshmuar vetëm pjesën e dinamikës së ngjarjes, ndërsa policia po bën negociata për kapjen e autorëve të tjerë.
“Bëhet fjalë për dy pamje filmike që janë sekuestruar nga ana e policisë. Pamjet filmike të para, të siguruara edhe nga ABC News, është një kamer sigurie që ka qenë e vendosur në kopshtin ku edhe avokati Sokol Mëngjesi ka dërguar fëmijën e tij. Shihet se sapo ai ka dalë nga ambientet e kopshtit, është sulmuar fizikisht nga tre persona, kanë qenë të pajisur me kapele. Po punohet për kapjen e tyre. Një prej tyre, Dorian Alia është vetëdorëzuar.
Në një video të dytë, në një kamer amatore nga një automjet në lëvizje, shikohet se Sokol Mëngjesi, sapo del nga dera e kopshtit, 3 persona i afrohen me shpejtësi. Dyshohet se e kanë vëzhguar. E kanë pritur te dera kryesore, në momentin që del te porta e kopshtit, ai është sulmuar fizikisht nga 3 persona. Pamjet janë të rënda, faktojnë edhe dhunën e ushtruar nga 3 persona, personi i katërt i ka ndihmuar për t’u larguar. Dorian Alia ka dëshmuar pjesën e dinamikës. Po bëhen negociata për kapjen e autorëve”, raportoi gazetari i ABC News, Ervin Leka.
Sokol Mëngjesi ka pësuar dëmtime të shumta në kokë, por edhe në trup.
Aktualisht avokati ndodhet në Spitalin e Traumës, ku është futur në intubim për shkak të dëmtimeve në kokë dhe problemeve me frymëmarrjen. Për shkak të gjendjes së tij, policia ende nuk ka mundur që t’i marrë dëshminë./abcnews.al