Ekipet pjesëmarrëse në Euro 2020 po zhvillojnë takimet e fundit miqësore. Fitojnë Holanda, Anglia, Danimarka dhe Skocia. “Tulipanët” e De Boer mposhtën 3-0 në shtëpi Gjeorgjinë.
Memphis Depay ktheu në gol një penallti në minutën e dhjetë, teksa në fraksionin e dytë të sfidës erdhën golat e Wout Weghorst dhe Ryan Gravenberch. Anglia u mjaftua me një sukses minimal ndaj Rumanisë.
“Tre Luanët” fituan 1-0, i njëjti rezultat që u regjistrua edhe ndaj Austrisë pak ditë më parë. Goli i fitores erdhi në mesin e pjesës së dytë dhe atë e realizoi Markus Rashford. Jack Grealish fitoi një penallti dhe sulmuesi i United nuk gaboi.
Anglia fitoi një tjetër penallti dhjetë minuta më vonë, por nuk pati festë për Jordan Henderson. Danimarka iu fal golave të Martin Braithwaite dhe Andreas Cornelius për të thyer 2-0 Bosnjen.
0-1 fitoi Skocia përballë Luksemburgut. Che Adams realizoi golin e fitores në pjesën e parë për skuadrën ishullore. Pa gola u mbyll ndeshja Austri-Sllovaki. /abcnews.al