VIDEO/ Milani shpëton sërish në fund, Lukaku afron Interin me kreun

schedule22:45 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 22:45 - 16 Dhjetor, 2020

Tjetër barazim për Milanin në kampionat, sërish 2-2 dhe një gol në minutat e fundit shmangu humbjen e kuqezinjve, të cilët nuk thyhen në Serie A prej muajit mars.

Ekipi i Stefano Piolit e mbylli në barazim 2-2 ndeshjen jashtë fushe kundër Genoas. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë ishte i mbushur me emocione.

 

Rezultatet në Serie A

Mattia Destro kaloi vendasit në avantazh në minutën e 47-të, por ekipi kryesues reagoi pesë minuta më vonë. Mbrojtësi Calabria lëshoi një diagonale nga larg dhe topi në rrjetë.

 

Sfida u ndez dhe Genoa shënoi një tjetër gol pas një ore lojë. Mattia Destro sërish autori i golit pas një goditje të saktë me kokë, duke regjistruar dygolësh kundër ish-ekipit të tij.

Milani u hodh në sulm në kërkim të barazimit dhe e gjeti atë në minutën e 83-të. Piere Kalulu Kyatengwa dërgoi topin në rrjetë pas një goditje këndi. Goli i parë me “Djallin” për mbrojtësin 20-vjeçar, që i mjaftoi Milanit të ruajë pathyeshmërinë dhe vendin e parë.

 

28 pikë numërojnë djemtë e Stefano Piolit, teksa është afruar shumë Interi. Zikaltrit thyen Napolin 1-0 në “San Siro” dhe kanë vetëm një pikë më pak se “kushurinjtë”.

 

Skuadra mike luajti më mirë, por djemtë e Antonio Contes iu falën një penallti të fituar në minutën e 71-të. Romelu Lukaku nuk gaboi nga pika e bardhë dhe Interi në avantazh. Një minutë më vonë, Napoli mbeti me 10 lojtarë pas protestave të kapitenit Insigne.

Gjithçka u lehtësuar për vendasit, që menaxhuan avantazhin dhe siguruan tre pikë shumë të rëndësishme nga një rivali direkt për titullin. Në sfidat e tjera ra në sy barazimi 1-1 mes Fiorentinës dhe Sassuolos.

https://streamable.com/uipgc7

 

Pa fitues u mbyllën përballjet Parma-Cagliari (0-0) dhe Spezia-Bologna (2-2). Fitore fantastike për Sampdorian, që siguroi tre pikët pas suksesit 1-2 në fushën e Hellas Verona. /abcnews.al