VIDEO/ Milani ia del nga 11 metrat me Torinon, Leverkusen “çmonton” Eintracht

schedule23:32 - 12 Janar, 2021

schedule 23:32 - 12 Janar, 2021

Milani vuajti shumë, por në fund penalltitë ishin momenti që vendosën ndeshjen. Portieri Tatarusanu ishte heroi i ndeshjes. Kuqezinjtë e nisën me Zlatan Ibrahimovic në majën e sulmit, por në pjesën e parë ishte një Milan i zbehtë, që nuk arrinte të çante mbrojtjen e Torinos dhe dërgoi vetëm një goditje të kuadrat, kundrejt dy të miqve.

Ishte ndeshje me eliminim direkt dhe të dy skuadrat u munduan më shumë të ruanin portat respektive, duke e mbyllur fraksionin e parë në barazim pa gola. Në pjesën e dytë Milani u mundua të shfrytëzojë në maksimum aftësitë e lojtarëve të sulmit, duke qenë më prezent në portën e Torinos.

Kuqezinjtë e tentuan më shumë portën dhe nisën dalëngadalë të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Por sërish gola nuk kishte dhe koha e rregullt u mbyll pa gola. Në shtesa ishte sërish Milani skuadra që merrte iniciativën, por 15 minutat e para nuk prodhuan sërish gola.

 

E dyta e shtesës nisi me kartonin e kuq të portierit Donnarumma, i cili fatmirësisht ishte jashtë kësaj ndeshje, në stolin e rezervave. Më pas kuqezinjve iu anulua një gol i dyshimtë, çka shkaktoi edhe protesta.

Në fund të 120 minutave nuk kishte asnjë gol të rregullt dhe skuadrat iu drejtuan pikës së bardhe të penalltive. Këtu në skenë doli portieri i Milanit, Ciprian Tatarusanu. Gardiani rumun priti penalltinë e Tomas Rincon, teksa pjesa tjetër i shënuan të gjithë penalltitë e tyre dhe në fund Milani mori biletën për më tej me rezultat të përgjithshëm 5-4.

Kupa e Italisë, faza e 1/8-ave
Milan-Torino 0-0 (5-4 me penallti)

Në Gjermani u luajt super ndeshja e raundit të dytë të Kupës së Gjermanisë mes Bayer Leverkusen dhe Eintracht Frankfurt. Skuadra e “Aspirinave” mundi të triumfojë pa probleme në këtë sfidë me shifrat 4-1.

Younes shënoi për Frankfurt në minutën e 6, por Leverkusen barazoi me një penallti në pjesën e parë me Alario në minutën e 27. Në pjesën e dytë Bayer shënoi edhe tre gola me Tapsoba dhe dopietën e Diaby, duke vulosur triumfin në këtë ndeshje, pavarëisht kartonit të kuq të Tah në minutën e 73-të.

Kupa e Gjermanisë, Raundi 2
Bayer Leverkusen-Eintracht Frankfurt 4-1
Shënues:
Younes 6’/ Alario 27’, Tapsoba 49’, Diaby 67’, 87’