VIDEO/ Milani befasohet në shtesa, fitore me “poker” për United e Tottenham

schedule20:53 - 18 Shkurt, 2021

schedule 20:53 - 18 Shkurt, 2021

Kanë përfunduar ndeshjet e orës 18:55 të Europa League, të vlefshme për raundin e 1/16. Fitore të rëndësishme jashtë fushe për Manchester United, Tottenham dhe Romën, teksa sfida me më shumë gola ishte ajo mes Young Boys dhe Bayer Leverkusen (4-3).

Milani nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në fushën e Crvena Zvezdës. Kuqezinjtë e Piolit u rikthyen të luajnë pas një kohe të gjatë në Beograd. Një autogol i Radovan Pankov i dhuroi miqve avantazhin në fundin e pjesës së parë.

Rastet dhe golat e CRVENA-MILAN

Crvena barazoi takimin me një penallti të shndërruar në gol nga Kanga (52′), teksa një tjetër penallti u akordua nëntë minuta më vonë, por në krahun tjetër. Theo Hernandez nuk gaboi nga pika e bardhë, teksa vendasit mbetën me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të Rodic (77′).

Pavarësisht inferioritetit numerik, Crvena ia doli të evitojë humbjen falë golit të Radovan Pankov në minutën e tretë shtesë, me qendërmbrojtësin që shleu gabimin e kryer tek autogoli i realizuar.

Manchester United zhvilloi një ndeshje perfekte në fushën e Real Sociedad, rival që e mposhti 0-4. Bruno Fernandez vijon formën e shkëlqyer dhe sot realizoi një dygolësh, teksa Rashford dhe James kompletuan suksesin me “poker” të ekipit të Solskjaer.

Katër gola realizoi edhe Tottenham, që fitoi 1-4 në fushën e Wolfsberger. Son Heung Min, Bale, Lucas dhe Carlos Vinicius shënuan golat e skuadrës së Jose Mourinhos. Pothuajse në raundin tjetër edhe Roma. Verdhekuqtë triumfuan 0-2 përballë Bragës në Portugali, falë golave të Edin Dzeko dhe Boyra Mayoral. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!