Në Danimarkë policia ka ngritur akuzë ndaj 1 mijë të rinjve, për shpërndarje të një materiali me përmbajtje seksuale në Facebook. Ka qenë stafi i rrjetit social që ka njoftuar policinë, të cilës i është dashur të përballet me një hetim shumë kompleks.
Në praktikën e tij të zakonshme, Facebook i njofton agjencitë ligjzbatuese kur konstaton shkelje ligjore, por njoftimi i fundit ka patur pasoja në një shkallë më të gjerë se zakonisht. Policia në Danimarkë ka ngritur akuzë ndaj 1.004 të rinjve, një pjesë e të cilëve nën 18 vjeç, pasi stafi i rrjetit social ka konstatuar se në rubrikën e mesazheve përdoruesit po shpërndanin një video ku shfaqeshin dy adoleshentë duke kryer marrëdhënie seksuale. Shumica e përdoruesve e shpërndanë videon vetëm pak herë, ka deklaruar policia daneze, por të tjerë e shpërndanë qindra herë, duke shkelur me vetëdije ligjet që ndalojnë përhapjen e materialeve me pamje të papërshtatshme për fëmijët. Personat që do të shpallen fajtorë rrezikojnë të përballen me rreth 20 ditë burg, por emrat e tyre do të mbeten në regjistrin e personave me precedentë penalë për 10 vjet. Pamjet kanë qarkulluar në rrjetin social në vjeshtë të vitit 2017, por akuzat ndaj të rinjve janë ngritur vetëm në ditët e fundit sepse, sipas policisë, bëhet fjalë për “një çështje shumë të gjerë dhe komplekse”. Hetimi përfshiu katër departamente të policisë dhe u realizua pasi autoritetet amerikane i përcollën shqetësimet e Facebook EUROPOL-it./abcnews.al