VIDEO/ Vrau me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, burg për Azgan Mërnicën

schedule15:00 - 17 Maj, 2024

schedule 15:00 - 17 Maj, 2024

FIER-Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Azgan Mërnicajn, i cili akuzohet si autori i vrasjes së efektivit të Shqiponjave, Novruz Cenaliaj. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në fshatin Baltëz. Sipas informacioneve Novruz Cenaliaj 28 vjeç, veshur me uniformën e policit pati një konflikt të momentit me Azgan Mernicën.

Gjatë konfrontimit, 23-vjeçari e ka qëlluar me një plumb në kokë efektivin duke i shkaktuar vdekjen. Në dëshmi para oficerëve të policisë gjyqësore, Azgan Mernica ka treguar rrethanat e konfliktit me policin dhe mënyrën se si e ka qëlluar për vdekje.

“Unë isha duke ikur me makinë nga qyteti në fshat, kisha marrë makinën e dajës dhe nënën do e çoja tek daja. Isha duke ecur shpejt dhe shkëmbehem me policin që shkonte nga fshati në qytet dhe për pak sa nuk u përplasa me të. Ai më bëri me shenjë ndalo. Unë zbrita nga makina. Zbriti dhe ai nga makina. Aty kemi bërë llafe. Ai më tha ku shkon ti me këtë shpejtësi more, dhe më ofendoi. Kur ai bëri me dorë unë kujtova se më shau dhe u nxeha. Momenti që u kthye për të hipur në makinë, unë nxora pistoletën nga çanta dhe e qëllova te koka mbrapa. Shkova te daja dhe e lashë makinën atje. Pastaj kam ecur në këmbë nëpër fusha e disa kanale. Në kanale lëviza e qëndrova për 48 orë. Momentin që po më hahej bukë se kisha dy ditë pa bukë, shkova ke shtëpia e dajës. Këta ndërkohë kishin njoftuar policinë se kishin hall se mos më vriste RENEA. Aty erdhi policia dhe më mori, një polic, shefi krimeve të Fierit dhe më çoi në drejtori”, ka dëshmuar Azgan Mernica./ abcnews.al