VIDEO/ Llullaku dhe fantazisti që ndëshkoi Atleticon, zbulohen objektivat e Vllaznisë

schedule09:39 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 09:39 - 23 Dhjetor, 2020

Vllaznia po mendon që tani për përforcimet. Superiorja rikthehet më 9 janar dhe në kampin shkodran nuk duan të humbin kohë. Abdurrahman Fangaj dhe Elvir Maloku pritet të jenë afrimet e para. Me të dytin ka mbetur firma mbi kontratë dhe zyrtarizimi, pasi mbrojtësi ka nënëshkruar.

Gjatë kësaj periudhe ka shumë emra që qarkullojnë. Fillimisht ishte Bekim Balaj, ndërkohë që tani ka dalë në skenë edhe Azdren Llullaku. Aktualisht ai është pjesë e Concordia Chiajna në ligën e dytë rumune, teksa ka shënuar 4 gola në 14 ndeshje.

Anësori, i cili mund të luajë edhe si sulmues i dytë, është nën kontratë dhe për Vllazninë nuk do të jetë e lehtë ta transferojë. Gjithsesi ai nuk është opsioni i vetëm, pasi raportohet se shkodranët po tentojnë të transferojnë edhe Usman Mohammed.

26-vjeçari nigerian luan si mesfushor me tipare sulmuese. Deri më 31 dhjetor rezulton të jetë në kontratë me Shakhter Karaganda në Kazakistan dhe këtë sezon ai ka luajtur 18 ndeshje si titullar dhe ka realizuar edhe një gol.

Në të shkuarën ai ka luajtur në Armeni me Pyunik dhe në Rusi me Tambov, në kampionatet elitare. Mbetet të shihet se cilat janë kërkesat financiare të mesfushorit dhe nëse Vllaznia ia plotëson dot, pasi dihet se kontrata e fundit në Kazakistan ka qenë e mirë për Mohammed, i cili në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Nigerisë.

Jo vetëm kaq, por në Olimpiadën e vitit 2016 në Rio De Janiero ishte titullar i Nigerisë U23, që arriti deri në gjysmëfinale ku u mund nga Gjermania. Mohammed u bë i njohur edhe për një gol që i shënoi spanjollëve të Atletico Madrid, në një miqësore mes Nigerisë dhe spanjollëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!