VIDEO/ Lazio bën “detyrën” përballë Cluj, Ludogorets e Partizan Beograd pranë kualifikimit

schedule23:36 - 16 Shkurt, 2023

schedule 23:36 - 16 Shkurt, 2023

Kanë përfunduar dhe 4 sfidat e mbetura për raundin e 1/16-ve të UEFA Conference League, me Lazio, Ludogorets, Partizan Beograd e AEK Larnaca, që kanë bërë “detyrën” përballë kundërshtarëve të tyre, teksa kanë arritur të fitojnë secila me rezultatin minimal 1 me 0.

Lazio e nisi sfidën me vrull, por një karton i kuq i dhënë për spanjollin Patric, pas rishikimit të ndërhyrjes me sistemin VAR, ndryshoi tërësisht skemën e teknikut Maurizio Sarri. “Celeste”-t iu falën golit të kapitenit Ciro Immobile në fundin e pjesës së parë, duke arritur kështu të triumfojnë me 10 lojtarë përballë rumunëve të CFR Cluj.

Në Bullgari, Ludogorets ka treguar se mund të eci gjatë në këtë kompeticion, teksa ka mundur me rezultatin minimal 1 me 0, “gjigandët” belg të Anderlecht. Një gol i brazilianit Igor Thiago në minutën e 9’-të mjaftoi për bullgarët, të cilët tashmë janë një hap më afër kualifikimit.

Në krahun tjetër, Partizani i Beogradit ka arritur gjithashtu fitoren me 10 lojtarë, ku përballë moldavëve të Sheriff Tiraspol triumfuan me rezultatin e ngushtë 0 me 1. Goli i Ricardo Gomes në minutën e 45’-të, duket e nxorri të “pavlefshëm” kartonin e kuq të marrë nga mbrojtësi Vujcacic në fillimin e pjesës së dytë, me serbët që arritën të ruanin rezultatin.

Ndërkaq, sfida e fundit është ajo mes qipriotëve të AEK Larnaca dhe ukrainasve të Dnipro-1, më këta të parët që arritën gjithashtu një fitore 1 me 0. Vendasit duhet të vuanin paksa, ku pas gjithë tentativave për të ndryshuar rezultatin, goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 84’-ët, nga këmbët e spanjollit Angel Garcia.

Kujtojmë se, sfidat e kthimit do të luhen javën e ardhshme, mbrëmjen e 23 shkurtit. /i.m /abcnews.al

SHIKONI GOLAT:

Lazio 1-0 CFR Cluj
C. Immobile 45+2’

Ludogorets 1-0 Anderlecht
I. Thiago 9’

AEK Larnaca 1-0 Dnipro-1
A. Garcia 84’

Sheriff Tiraspo 0-1 Partizan Beograd
R. Gomes 45’