VIDEO/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu në disa zona, si do të jetë moti në ditët në vijim

schedule08:35 - 8 Tetor, 2024

schedule 08:35 - 8 Tetor, 2024

E marta ka nisur me mot të qëndrueshëm dhe me intervale të gjata me kthjellime. E mërkura do të sjellë zhvillim të vranësirave dhe reshje shiu në disa zona. Meteorologu Hakil Osmani thotë se e enjtja do të ketë sërish mot të kthjellët por reshjet rikthehen sërish të premten, ndonëse në sasi më të pakta.

“E marta mbetet në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm duke bërë që të kemi intervale të gjata me kthjellime, kalime të lehta të vranësirave. Parashikohet që vranësirat të bëhen më të dukshme në pjesën e dytë të ditës dhe gjatë orëve të vonshme të mbrëmjes. Nata sjell zhvillim të vranësirave, duke bërë që në zonat veriperëndimore të kemi prezente reshjet e shiut, herë pas here në formë rrebeshesh. Po ashtu në orët e para të ditës së mërkurë mbetemi në mbizotërimin e vranësirave të dendura, të cilat herë pas here pësojnë zhvillime duke krijuar mundësi për reshje shiu në pothuajse të gjithë Ultësirën Perëndimore por më të fokusuara reshjet e shiut do të jenë edhe në rrebeshe në zonat veriore dhe shumë të pakta në ato jugore. Në orët e mbrëmjes kemi përmirësim gradual të motit. E enjta sjell mot më të qëndrueshëm duke bërë që vranësirat, reshjet të jenë të fokusuara në zonat veriore dhe shumë më pak në ato veri perëndimore ndërsa në ditën e premten, sërish vranësirat do të krijojnë mundësira për reshje shiu por do të jenë në sasi të pakta. Temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë pësuar rritje, duke bërë që vlerat minimale të jenë në 7 gradë në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimalet rreth vlerës 27. Nga e nesërmja dhe në vijim do të kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet në rang territori të ngjiten në vlerën 29 apo 30 gradë. Parametri i erës do të jetë problematik të mërkurën”, u shpreh Osmani.

Edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm këtë të martë ndërkohë që e mërkura do të sjellë shtim të vranësirave, me rrebeshe shiu në disa zona./abcnews.al