Është mbyllur takimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, me vendasit që triumfuan në Shkup me rezultatin 2-1. Kosova si gjithmonë dhuroi futboll të bukur, por në fund nuk ia dolën që të merrnin një rezultat pozitiv, duke bërë që ëndrra e tyre për t’u kualifikuar në Europian të shuhej.
Një autogol nga Benjamin Kololli zhbllokoi rezultatin e sfidës, në minutën e 15-të. Gjuajtja e Ristovskit po shkonte jashtë kuadratit, por i ndodhur në vendin e kohën e gabuar, Kololli e devijon sferën në portën e tij, duke lënë të palëvizur portierin Muric.
Kosova arriti të reagojë pas këtij goli dhe gjeti rrugën e barazimit, me anë të një supergoli të shënuar nga Hadërgjonaj. Numri 2 i dardanëve shënoi një gol shumë të bukur, duke realizuar me një parabolë nga një distancë e largët.
Por vetëm 4 minuta më vonë, në minutën e 33-të, Maqedonia kaloi sërish në avantazh, falë një goli me kokë të Velkovskit. Ky gol, vendosi dhe fatet e takimit, me Maqedoninë që shkon në finalet e Play-Off kundër Gjeorgjisë, ndërsa Kosova e mbyll këtu ëndrrën europiane./abcnews.al