Java nis me mot të qëndrueshëm në territorin shqiptar. Meteorologu Hakil Osmani thotë se intervalet e gjata me kthjellime do të na shoqërojnë deri në mesjavë, më pas pritet shtim i vranësirave. E premtja sjell reshje shiu kryesisht në zonat veriore, ndërsa priten edhe reshje dëbore në disa vende malore.
Temperaturat e ajrit në ditët e para do të luhaten nga -4 deri në 8 gradë në vijën bregdetare. Ndërsa pjesa e dytë e javës do të ketë rritja graduale të temperaturave, me maksimume deri në 17 gradë.
“Fillimi i javës sjell mot të qëndrueshëm në territorin shqiptar, duke bërë që të ketë interval të gjata me kthjellime në Ultësirën Perëndimore ndërsa në zonat e thella malore kalime të lehta vranësirash në orët e pasdites dhe mbrëmjes. Kjo fillim javë ka sjellë vlera minimale -4 dhe -5 gradë celcius në qytetet e zonave malore ndërsa në Ultësirën Perëndimore, vlerat minimale luhaten nga 2-8 gradë në vijën bregdetare. Në orët e mesditës do të kemi maksimume, të cilat do të jenë rreth vlerës 16 gradë të regjistruara në vijën bregdetare. Sa i përket pjesës së dytë të javës kemi shtim gradual të vranësirave, duke bërë që ditën e mërkurë dhe të enjte, vranësirat të bëhen prezente në gjysmën lindore të territorit, gjatë orëve të pasdites por nuk do të ketë reshje. Të premten parashikohet që të kemi shtim të vranësirave në të gjithë territorin, rritje të lagështirës në ajër, çka do të bëjë që gjatë orëve të mesditës dhe pasdites të kemi zhvillim të vranësirave, që do të sjellin reshje shiu kryesisht në zonat veriore, dhe pjesërisht në zonat qendrore. Në orët e mbrëmjes, pritet që vranësirat e shumta të përfshijnë të gjithë territorin, duke bërë që në Ultësirën Perëndimore të kemi prezente reshje të shiut ndërsa në zonat malore reshje të dëborës. Temperaturat e ajrit në pjesën e dytë të javës do të keni rritje graduale, ku më e ndjeshme do të jenë në orët e para të mëngjesit, duke bërë që vlerat minimale të jenë në -1 apo -2 gradë në qytetet e zonave malore dhe maksimumet mbeten rreth vlerës 16 apo 17 gradë.”, tha Osmani./abcnews.al