VIDEO/ Juventus pa identitet, Interi i jep leksion në derbin e Italisë

schedule22:42 - 17 Janar, 2021

schedule 22:42 - 17 Janar, 2021

Interi “Zot” i derbit të Italisë. Zikaltrit kanë mposhtur me rezultatin 2-0 kampionët në fuqi të Juventusit dhe ajo që gëzon më shumë trajnerin Antonio Conte është loja që bëri skuadra e tij.

Një dominim total i Interit, që e gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 12-të. Arturo Vidal nuk fali me kokë pas një krosi të Nicolo Barella, duke goditur saktë me kokë dhe duke shlyer puthjen e stemës së Juventusit para ndeshjes.

Bardhezinjtë ishin inekzistentë, ndërkohë që i falen argjentinasit Lautaro Martinez i cili nuk ka shënjestrën e duhur në disa raste. Edhe Lukaku në të 36’ kishte mundësinë të shënonte, por gjuajti keq dhe u ndal nga portieri i Juves.

1-0 pjesa e parë dhe e dyta nisi me gol. Nicolo Barella shtangu për të dytën herë bardhezinjtë dhe Interi shpërtheu në festë. Me epërsinë e dy golave ishte i qetë dhe la Juventusin ta luante topin, por nuk ia la shumë hapësira.

Përvecc një momenti në fund, kur Chiesa u ndal mrekullisht nga Handanovic, torinezët nuk lanë ndonjë shenjë dhe në fund ishin të detyruar të përuleshin para Interit, që tani numëron 40 pikë sa Milani kryesues që luan kundër Cagliarit nesër. /abcnews.al