VIDEO/ James Rodriguez gjen golin e parë me Everton, dy të kuqe për WBA

schedule14:20 - 19 Shtator, 2020

schedule 14:20 - 19 Shtator, 2020

Drejtuesit e Everton kanë zhvilluar një merkato shumë të mirë dhe ekipi i Carlo Ancelottit pritet të jetë një nga surprizat më të bukura në Premier League. Kualifikimi në Champions League është objektivi i madh dhe sezoni i ri ka nisur shumë mirë.

Skuadra nga Liverpuli mposhti 0-1 Tottenham në javën e parë, teksa sot po luan në shtëpi ndaj WBA. Miqtë kaluan të parët në avantazh me një gol të bukur të Grady Diangana në minutën e dhjetë.

Gjithsesi, djemtë e Ancelottit kanë përmbysur rezultatin brenda pjesës së parë. Dominic Calvert-Lewin vijon të konfirmohet si goleador. Anglezi barazoi shifrat në minutën e 31-të, ndërsa ka ardhur edhe goli i parë anglez i James Rodriguez.

Kolumbiani mori një top nga Richarlison dhe mposhti portierin mik me një goditje të saktë nga jashtë zonës në minutën e fundit të fraksionit të parë. Në minutën e parë shtesë erdhi edhe kartoni i kuq për Kieran Gibbs të WBA, duke ia lehtësuar edhe më shumë fitoren ekipit vendas.

Disa vendime të arbitrit nuk i kanë pëlqyer Slaven Bilic, trajnerit të WBA. Kroati u pa duke debatuar me kryesorin e ndeshjes sapo përfundoi pjesa e parë, veprim për të cilin u ndëshkua me të kuqe. /abcnews.al