Barcelona vuajti jo pak për të mposhtur një ekip të divizionit të tretë të futbollit spanjoll në Kupën e Mbretit. UD Ibiza-Eivissa realizoi një nisje fantastike dhe gjeti golin në minutën e nëntë. Pep Caballe festoi gjatë golin që nuk do e harrojë kurrë, njësoj si tifozët e ekipit të vogël.
Trajneri Setien kishte lënë shumicën e titullarëve pushim dhe goli i barazimit erdhi shumë vonë. Antoine Griezmann realizoi të parin personal në minutën e 72-të. Francezi mori një asist të bukur nga De Jong (u aktivizua si qendërmbrojtës) dhe dërgoi topin në rrjetë.
U duk se UD Ibiza ishte pranë arritjes së një barazimi historik, por Griezmann nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Ishte minuta e 95-të kur sulmuesi i njohur shfrytëzoi një pasim të Jordi Alba dhe mposhti për herë të dytë portierin vendas me një diagonale të saktë. Në këtë ndeshje u fut në fushë në minutën e 73-të për ekipin vendas edhe Kwasi Sibo, ish-lojtari i Skënderbeut. /abcnews.al
UD Ibiza-Eivissa – Barcelona 1-2
(Caballe 9′ / Griezmann 72′, 90+5′)