VIDEO/ Gola kuqezi tek Istanbulspor: Ethemi e bën sefte, Rroca “mbreti” i asisteve

schedule18:20 - 1 Shkurt, 2021

schedule 18:20 - 1 Shkurt, 2021

Istanbulspor është kthyer në një koloni të vogël shqiptarësh. Eduart Rroca, Kristial Abazaj dhe Valon Ethemi, vjet shokë skuadre te Kukësi, janë pjesë e ekipit të divizionit të dytë të futbollit turk. Objektivi është ngjitja në elitë dhe Istanbulspor ndodhet në rrugën e duhur.

Ekipi renditet në vend të dytë dhe sot po fiton 1-3 në fushën e Altay. Miqtë e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë falë golave të Rrocës dhe Ethemit.

Rroca zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë. Fantazisti goditi menjëherë pas një topi të ardhur nga krahu i djathtë, duke realizuar një gol të bukur. I gjashti sezonal për 27-vjeçarin nga Librazhdi, i cili numëron edhe plot 8 asiste në kampionat, shifër që nuk e ka arritur askush deri tani.

Në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë të sfidës, erdhi edhe goli i Ethemit. Mesfushori 23-vjeçar mori një asist nga Rroca, marshoi drejt portës kundërshtare dhe ia doli të mposhtë portierin vendas me një goditje të saktë.

Ky ishte goli i parë me Istanbulspor për ish-futbollistin e Kukësit. Ethemi gjeti akordin me klubin turk në ditët e para të janarit dhe ia ka dalë të gjejë menjëherë një fanellë titullari te skuadra e re.

Vendasit shkurtuan rezultatin në fillimin e pjesës së parë, por Istanbulspor vulosi fitoren me golin e realizuar pesë minuta përpara fundit. Kristal Abazaj, i cili u fut në fushë në minutën e 66-të, dhuroi një asist për Onur Ergun, i cili dërgoi topin në rrjetë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!