VIDEO/ Gjykata refuzon për të dytën herë lirimin e Mihal Kokëdhimës

schedule09:51 - 22 Tetor, 2019

schedule 09:51 - 22 Tetor, 2019

Mihal Kokëdhima i cili sulmoi turistët spanjollë dy muaj më parë do të qëndrojë në burg. Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlore megjithëse avokati i tij kërkoi një masë më të lehtë kundrejt garancisë pasurore. Kokëdhima nuk pranoi të flasë në gjykatë.

Apeli i Vlorës la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Mihal Kokëdhimën duke e lënë në burg. Seanca  që u zhvillua me dyer të mbyllura kishte për relator Petrit Aliaj, dhe gjyqtar Skënder Damini e Klodiana Gjyzari.

Avokati i Kokëdhimës kërkoi një masë sigurie më të lehtë për Kokëdhimën, kundrejt një garancie pasurore në vlerën e 800 mijë lekë të reja. Vetë Kokëdhima ka qëndruar i heshtur duke ju përgjigjur vetëm pyetjeve që kishin të bënin me identitetin e tij.

Kërkesa e mbrojtjes nuk u pranua nga trupi gjykues duke e lënë në qeli 51-vjeçarin deri në përfundim të hetimeve. Ai akuzohet për veprat penale “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe  “Shkatërrimi pronës”.

Edhe më herët ai ka kërkuar masë më të lehtë në Apelin e Vlorës me arsyetimin se ishte i sëmurë, por edhe kjo kërkesë ishte refuzuar nga gjykata. Kokëdhima u arrestua me 16 Gusht të këtij viti pas incidentit që ndodhi me turistët spanjollë në lokalin e tij “Panorma”në afërsi të Porto Palermos.

Në videon që u bë virale 51-vjeçari shfaqej në kofanon e makinës së spanjollëve duke goditur xhamin e përparmë të mjetit. Kjo situatë terrori zgjati për rreth 3 kilometra rrugë./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!