Një armë zjarri, 1 armë gjahu dhe municione luftarake janë sekuestruar në dy banesa në Pogradec. Sipas Policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 34 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi A. C., 19 vjeç, ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. B., 23 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
Falë inteligjencës informative, konstatohen dhe goditen 2 raste të armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Përkatësia”, sekuestrohen 1 armë zjarri, 1 armë gjahu dhe municion luftarak për to.
✅Mbanin pa leje, në banesë, një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, arrestohet në flagrancë 34-vjeçari dhe shpallet në kërkim nipi i tij.
✅Procedohet penalisht edhe një 23-vjeçar, pasi iu gjet në banesë, një armë gjahu, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të mbajtjes së armëve, pa lejet përkatëse, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përkatësia”, në kuadër të të cilit:
-U arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 34 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi A. C., 19 vjeç, nipi i shtetasit A. P., të dy banues në fshatin Çezmë e Madhe, Pogradec. Gjatë kontrollit në banesën 34-vjeçarit, u gjetën një armë zjarri pushkë, si dhe krehër dhe municion i kësaj arme. Në këtë veprimtari kriminale dyshohet të jetë i përfshirë edhe shtetasi A. C., për të cilin vijojnë kërkimet, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale.
-U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. B., 23 vjeç, banues në fshatin Çezmë e Vogël, Pogradec, pasi iu gjet në banesë, një armë gjahu të cilën e mbante pa leje.
Armët dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme./abcnews.al