Rezultatet surprizë sot në La Liga nuk kanë munguar. Pas barazimit të Atletico në shtëpi 0-0 kundër Celta Vigo, ka qenë radha e Barcelonës për të befasuar. Katalanasit janë mposhtur pastër 2-0 në transfertë përballë Granada. Azeez dhe Vadillo shënuan për vendasit.
Që në minutën e dytë të takimit, Junior Firpo bën dy gabime radhazi dhe i dhuron golin sulmuesit Azeez, që me portën e boshatisur, nuk e ka të vështirë të shënojë. Barcelona u mundua të reagojë, por pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të Granada.
Valverde ndërhyri në pjesën e dytë dhe aktivizoi Ansu Fati, Vidal dhe Lionel Mesi, por sërish mungoi goli. Për më tepër, ishte Vidal ai që shkaktoi penallti në minutën e 65-të, pas një topi të prekur me dorë. Vadillo tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe vendos rezultatin final në 2-0.
Granada – Barcelona 2-0
Azeez 2’, Vadillo (p) 66’