Futbolli shqiptar është në ajër dhe të gjithë e kanë të paqartë të ardhmen e këtij sezoni. Futbollistët po presin me padurim rikthimin në fushë, por duhet dhënë leja e autoriteteve shtetësore që gara të rifillojë.
Shteti është përqendruar tjetërkund dhe nuk e ka mendjen te sporti. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, foli ditën e djeshme në lidhje me futbollin për “Procesin Sportiv”, duke theksuar se një vendim do të merret në dy javët e ardhshme, pasi të shihet ecuria e kurbës epidemiologjike.
Pavarësisht se vendosi të mos ndihmonte botën e futbollit dhe nuk hoqi dorë nga qëndrimi i tij, Edi Rama ka reklamuar stadiumin e Kukësit. Punimet për stadiumin e ri të qytetit verilindor kanë nisur prej kohësh, teksa Kryeministri nuk i kursen ironitë në postimin e tij.
“Mirëmëngjes me një tjetër projekt të premtuar për Kukësin, që po kalon nga 3D në realitet (dhe një selam për përqeshësit e kësaj faqeje, që nuk pushuan së shari e së thëni se ishte thjesht një mashtrim 3D)”, shkruan Rama. /abcnews.al