Real Madrid nuk u ndal as në Osasuna. Skuadra e Zinedine Zidane fitoi 1-4 dhe vazhdon të kryesojë kampionatin spanjoll me 52 pikë, tre më shumë se ndjekësit e Barcelonës. Vendasit shënuan të parët, por “Los Blancos” përmbysën gjithçka me një “poker” golash.
Përballja nuk shkoi pa probleme. Tifozët vendas u kapën me një grup të vogël të tifozëve të Realit, të cilët kishin shpalosur flamujt e ekipit të zemrës në pozicionin ku ishin vendosur. Kjo gjë u përjetuar keq nga disa ultras të Osasunës.
Ofendimet për tifozët miq nuk munguan, madje pati edhe një përplasje të vogël. Disa tifozë të ekipit vendas kaluan në zonën e miqve dhe ia dolën t’i hiqnin flamujt e Realit prej aty. Ndërhyrja e policisë i dha fund tensionit dhe shmangu një përplasje edhe më të madhe. /abcnews.al