VIDEO/ Fitojnë Italia, Franca dhe Anglia: Maqedonia e Veriut mposht Gjermaninë

schedule22:42 - 31 Mars, 2021

schedule 22:42 - 31 Mars, 2021

Fitojnë Italia, Franca dhe Anglia, teksa Gjermania humbet në shtëpi përballë Maqedonisë së Veriut. Feston edhe Hungaria, rivali i Shqipërisë në grupin I të kualifikueseve të Botërorit Katar 2022.

Skuadra e Roberto Mancinit triumfoi 0-2 në Lituani. Golat e fitores u shënuan nga Stefano Sensi në minutën e dytë të pjesës së dytë dhe Ciro Immobile në shtesa, teksa Italia siguroi triumfin e tretë radhazi.

Fitore minimale për Francën në Bosnje. Anthoine Griezmann realizoi golin e fitores për kampionë e botës pas një ore lojë, duke ngjitur “Gjelat” e Deschamps në krye të grupit D me 7 pikë.

Pikë të plota edhe për Anglinë në grupin tonë. “Tre Luanët” mposhtën 2-1 Poloninë në “Wembley”. Harry Kane zhbllokoi takimin me një penallti të kthyer në gol në pjesën e parë.

Edhe pse pa Lewandowskin e dëmtuar, skuadra mike barazoi përkohësisht rezultatin në minutën e 58-të. Autori i golit Jakub Moder, mesfushori i Brighton në Premier League.

Goli i fitores për Anglinë u realizua nga Harry Maguire pesë minuta përpara fundit të ndeshjes. Gjermania u befasua nga Maqedonia e Veriut, që triumfoi 1-2 në Duizburg.

Miqtë mbyllën pjesën e parë në avantazh falë rrjetës së “veteranit” Goran Pandev në limitet e fraksionit të parë të ndeshjes. Vendasit barazuan përkohësisht me anë të Ilkay Gundogan.

 

Rezultatet e mbrëmjes së sotme

Mesfushori i Manchester City ktheu në gol një penallti pas një ore lojë, por Elif Elmas befasoi Ter Stegen dhe “Pancerat” në minutën e 85-të, duke i dhuruar kombëtares së tij një fitore historike.

Hungaria nuk hasi probleme në fushën e Andorrës, ekip të cilin e mundi 1-4. Anglia kryeson grupin I me 9 pikë, ndjekur nga Hungaria me 7 dhe kuqezinjtë e Rejës me 6 pikë. Polonia mbetet në kuotën e 4 pikëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!