Besimtarët myslimanë festojnë këtë të mërkurë festën e Fiter Bajramit. Në Tiranë, siç është bërë tashmë traditë, besimtarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin. Edhe në qytetet e tjera, falja u bë në sheshe dhe xhamitë kryesore.
Në Vlorë, qytetarët u mblodhën në sheshin e Flamurit, pranë xhamisë së qytetit. Falja u drejtua nga myftiu i Vlorës, Armand Asllani.
Falja në Shkodër u mbajt në sheshin afër xhamisë Ebu Beker në qendër të qytetit. Imam Muhamed Sytari Myftiu i Shkodrës iu drejtua besimtarëve: “Të gjithë ne kemi nevojë që të kthehemi kah zotit”.
Në Fushë-Krujë, besimtarët mbushën stadiumin e qytetit. Hoxha Muharrem Vrana dhe imami Dritan Rrahmani, pas ceremonisë në Ilahi, dhanë një mesazh për solidaritet, paqe dhe dashuri.
Besimtarët në Librazhd u mblodhën për herë të parë në sheshin “Gjorg Golemi”, nën udhëheqjen e Myftiut të nderuar Ardit Hoxhllaku. Ligjërata u mbajt nga Imam Ahmet Kalaja, i ardhur enkas për këtë festë.
Në Kukës, manifestimi qendror për namaz u mbajt në xhaminë e madhe të qytetit. Myftiu i Kukësit Islam Hoxha pas faljes së namazit të Fitër Bajramit ka ururar për harmoni, shëndet dhe paqe.
Për herë të parë, besimtarët myslimanë në Lezhë kanë falur namazin në sheshin “Gjergj Kastrioti”. Atyre iu janë bashkuar edhe besimtarët afganë që ndodhen në Shëngjin që kanë zgjedhur të jenë së bashku me shqiptarët për këtë ditë të madhe. Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, tha se kjo është një ditë gëzimi për të gjithë besimtarët që duan të ndryshojnë, të gëzojnë e të përmirësohen.
Në Fier, besimtarët u mblodhën në qendror të qytetit. Namazi u fal në orën 6:55, ndërsa ceremonisë së faljes i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli i cili përcolli mesazhin për më shumë paqe, mirësi, respekt e dashuri ndaj njëri – tjetrit dhe veçanërisht më tepër besim, duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe që ka krijuar Zoti.
/abcnews.al