VIDEO/ Festohet Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë në të gjithë vendin falin namazin

schedule08:39 - 16 Qershor, 2024

schedule 08:39 - 16 Qershor, 2024

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë këtë të diel festën e Kurban Bajramit.

Mëngjësin e kësaj të diele me mijëra besimtarë të besimit islam e kanë nisur me faljen e namazit në xhami apo në sheshet kryesore.

Elbasan

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, një nga 2 festat më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve. Qindra besimtarë në Elbasan u mblodhën në sheshin “Gensher”për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Në fjalën e tij myftiu i Elbasanit Agim Duka referuar ngjarjeve të fundit që kanë tronditur themelet e familjes bëri thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të saj dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Besimtarët përcollën urimet e tyre dhe folën për rëndësinë e solidarizimit për njerëzit në nevojë.

Vlorë

Falja e Kurban Bajramit në Vlorë është zhvilluar në sheshine flamurit pranë xhamisë kryesore të qytetit. Qindra besimtarë ishin në shesh ndërsa falja e namazit është bërë nga myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.

Fushë Krujë

Më të bashkuar se kurrë duke uruar njëri-tjetrin, besimtarët myslimanë në Fushë Krujë kanë falur Kurban Bajramin. Besimtarët, që në orët e para të mëngjesit, janë bashkuar në stadiumin e këtij qyteti i tejmbushur nga të gjitha grupmoshat.  Sipas fesë Islame rituali dhe festa e Kurban Bajramit nis me faljen nëpër Xhami dhe më pas me prerjen e Kurbanit për ata që kanë mundësi dhe shpërndajnë për njerëzit në nevojë.

Shkodër

Besimtarët myslimanë të Shkodrës kanë falur namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor te qytetit. Myftiu i Shkodres Imam Muhamed Sytari ju drejtua besimtarëve duke kërkuar ruajtjen e paqes dhe të harmonise në vend.

Dibër

Besimtarët muslimanë që në orët e para të mëngjesit u mblodhën në stadiumin e qytetit të Dibrës për të kryer faljen e Kurban Bajramit. Prej vitesh kjo festë sa vjen dhe bëhet më masive, ndaj dhe kanë zgjedhur stadiumin për të kryer namazin e faljes së Bajramit. Kurban bajrami simbolizon sakrifikimin, ndaj dhe kush mundet, pas faljes së namazit ther një dash kurban dhe e ndan atë me më të pa mundurit.

Myftiu i Dibrës Muis Kurtulla,në fjalën e tij bëri thirrje për paqe e harmoni mes njëri tjetrit, dhe kudo në botë. Bota islame po sulmohet kudo, mjafton të shikosh çpo bëhet në Palestinë. Ai vuri theksin tek vlerat e familjes, ndaj duhet të përkushtohemi, të ruajmë këto vlera pasi gjithçka nis dhe mbaron me një familje të shëndoshë dhe me besim. Gjatë gjithë ditës besimtarët shpërndajnë mesazhe paqeje dhe kryejnë vizita tek njëri tjetri.

Korçë

Besimtarët myslimanë e kryen faljen e Kurban Bajramit në xhaminë e Ilias Bej Mirahorit.

Lezhë

Besimtarët myslimanë në Lezhë kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit që nisi me faljen e namazit në sheshin “Gjergj Kastrioti”. Qindra besimtarë u bënë bashkë për lutjet e tyre ndërsa myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, u kujtoi besimtarëve se gjërat e shenjta duhet të shërbejnë për të ndërtuar paqen dhe harmoninë ndërmjet të gjithë njerëzve dhe shoqërinë tonë.

Fier

Besimtarët myslimanë në Fier festuan Kurban Bajramin dhe kryen faljen e namazit në sheshin qendror të qytetit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!