Valencia ka arritur një fitore të madhe ndaj Barcelonës në shtëpi. Duelet mes këtyre dy ekipeve kanë qenë gjithmonë plot rivalitet dhe me spektakël. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, teksa vendasit fituan 2-0.
Ekipi i Valencias nuk fitonte në “Mestalla” në kampionat kundër ekipit katalanas prej 20 marsit të vitit 2008. Pjesa e parë u mbyll pa gola, teksa Maximiliano Gomez humbi një penallti në minutën e 12-të. Goditja e sulmuesit u prit nga Ter Stegen, ndërsa gjermani u “tradhëtua” nga Jordi Alba në fillimin e pjesës së dytë.
Mbrojtësi i majtë devijoi në portën e tij një gjuajtje të Gomez dhe në stadium nisi festa. Vendasit nuk u ndalën dhe vulosën fitoren në minutën e 77-të. Kësaj radhe uruguaiani Gomez nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë pas një pasimi të Torres.
Përfundimisht 2-0 për Valencian, teksa kjo ishte humbja e parë e Quique Setien në stolin e ekipit katalanas. Real Madrid ka shansin për të dalë i vetëm në krye pas frenimit të Barçës dhe do i duhet të fitojë ndeshjen kundër Valladolid. /abcnews.al
Valencia – Barcelona 2-0
(Jordi Alba (aut) 48′, Gomez 77′)