Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa, janë ekstraduar nga Dubai në Shqipëri.
Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet e mbërritjes së tyre në Rinas, të shoqëruar nga forca të policisë.
Dumani dhe Stafa ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Për Dumanin, GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Ky shtetas akuzohet se në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.; dhe në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;
Për Armir Stafën, GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e vëllezërve Çopja, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale./abcnews.al