Kjo është ajo çka ka lënë pas zjarri që përfshiu në orët e para të mëngjesit një market ushqimor në Durrës.
Flakët e mëdha shkrumbuan totalisht marketin në zonën e plepave.
Zjarrfikësit e qytetit bregdetar kanë arritur me vështirësi të vënë nën kontroll flakët gjigandë teksa zjarri ka përfshirë jo vetëm marketin, por edhe një pjesë tjetër të qendrës tregtare ku ndodhej.
Nga të dhënat e para rezulton se ka qenë një prizë e mbingarkuar me prizat e frigoriferëve që ka bërë masë dhe ka shkaktuar zjarrin.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, zjarri ka rënë rreth ores 4 të mëngjesit të së premtes, ku fatmirësisht nuk ka patur persona të pranishëm.
Ndonëse pa persona të lënduar, dëmet në këtë market me sipërfaqe të madhe, janë tejet të konsiderueshme.
Zjarrfikësit kanë përfunduar operacionin e tyre dhe janë larguar, ndërsa grupi i ekspertëve po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit.


