TIRANË- Finalizohet operacioni i koduar “Synimi”. Një 46-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi u kap duke transportuar armë dhe municione. Dyshohet se ky shtetas i kishte marrë në fshatin Shëngjergj, me qëllim shitjen në Tiranë.
Nga pamjet me dron shihet edhe momenti kur 46-vjeçari Urim Meta, u ndalua nga policia ndërsa nga kontrolli në makinë, u gjetën 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Armët dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Vijon hetimi, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/


