VIDEO/ Dëshmi rrëqethëse nga torturat ç’njerëzore mbi protestuesit në burgjet bjelloruse

schedule10:34 - 7 Shtator, 2020

schedule 10:34 - 7 Shtator, 2020

Protestat masive që kanë shpërthyer në Bjellorusi që prej ditës së zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit kanë shënuar dhunë brutale nga ana e policisë.

Forcat e sigurisë bjelloruse kanë përdorur gaz lotësjellës, uji dhe në disa raste edhe armë kundër protestuesve.

Mijëra njerëz janë arrestuar dhe abuzuar, shumë prej të cilëve janë rrahur dhe poshtëruar nga dhuna.

Dhuna policore e përdorur mbi protestuesit ka tronditur opinionin publik por deri më tani askush nuk ka nisur një hetim për këtë.

Aktivistët bjellorusë të të drejtave të njeriut kanë grumbulluar prova të mizorisë dhe përdorimit të paarsyeshëm të forcës fizike ndaj të arrestuarve, gjatë shoqërimit në furgonat e policisë, dhe qendrat e ndalimit të përkohshëm, si dhe gjatë transportimit të tyre në vendet e tjera të paraburgimit.

Shumë prej të arrestuarve të cilët protestuan paqësisht në datat  9, 10 dhe 11 Gusht janë mbajtur në kushte çnjerëzore.

Disa janë torturuar dhe rrahur, shumica janë mbajtur në qeli të mbipopulluara me 40-50 persona në një qeli të krijuar vetëm për 4-6 persona, gjë që e ka bërë të pamundur fjetjen si dhe ajrimin në një hapësirë ​​të mjaftueshme.

Gjatë gjithë ndalimit të tyre, pothuajse nuk u është dhënë ushqim ose ujë.

Qendra për të Drejtat e Njeriut Viasna ka raportuar se më shumë se 6,000 persona janë ndaluar dhe vendndodhjet e tyre nuk janë bërë të ditura për më shumë se 10 ditë.

Të paktën 450 persona u dhunuan brutalisht duke u poshtëruar dhe torturuar nga policia.

Viasna, në partneritet me Organizatën Botërore Kundër Torturës, organizoi menjëherë mbledhjen e informacionit që kishte të bënte me viktimat e keqtrajtimit, pasi kishte siguruar  qindra dëshmi të konfirmuara nga foto dhe video ku shihen të keqtrajtuarit.

Shumica e të dhunuarve brutalisht kanë qenë burra të moshës nën 35 vjeç, por nuk janë përjashtuar rastet e abuzimit edhe ndaj grave e të moshuarve.

Siç shihet në këtë video të postuar së fundmi, një qytetar u arrestua teksa protestonte. Në momentin që është afruar policia ai ngre duart lart dhe nuk reziston.

Ai kishte një aparat të vogël të fiksuar në rrobat e tij i cili xhironte pamjet, pa u vënë re nga policia.

Brenda kamionçinës së policisë, protestuesit u rrahën dhe u dërguan në qendrën famëkeqe të paraburgimit Akrescina.

Në video shihet dhuna dhe tortura që policët ushtrojnë mbi një nga protestuesit.

Protestuesi ka deklaruar se është dhunuar tre herë: gjatë arrestimit, në kamionçinë dhe kur u dërgua në qendrën e paraburgimit, ku siç thotë ai, njerëzit “vetëm ulërinin” nga rrahjet.

Ai kaloi tre ditë në Akrescina dhe u dënua me 12 ditë burgim.

Shumë nga të liruarit nga paraburgimi kanë ndarë historitë e tyre me media, duke sjellë në dritë detaje të tmerrshme të përvojës së tyre në qendrat e paraburgimit dhe furgonët e policisë.

Në disa raste, forcat e sigurisë kanë detyruar protestuesit të shtrihen njëri mbi tjetrin, duke i rrahur vazhdimisht derisa i gjakosnin.

Shumë kanë raportuar se janë detyruar nga policët të ulen me kokën poshtë duke prekur tokën për orë të tëra, dhe rriheshin sa herë që përpiqeshin të ndryshonin pozicionin e trupit.

Disa oficerë policie kanë detyruar të paraburgosurit të zvarriten në gjunjë në oborrin e burgut, ose i kanë rrahur me shkopinj dhe i kanë poshtëruar me fyerje.

Ata vazhdimisht u kanë bërë protestuesve pyetje të tilla si:

 “A do të shkoni përsëri në protestë?” ose “Kush ju ka paguar?”

Disa nga qendrat e paraburgimit janë përshkruar si “shtëpi torturash”.

Në veçanti, burgu i Akrestinës në Minsk, ku janë burgosur shumë prej protestuesve. Ky vend është bërë  simbol i brutalitetit të policisë në Bjellorusi.

Qindra të arrestuar në Akrestina janë liruar duke pasur mavijosje dhe dëmtime të rënda, që lidhen me histori poshtërimi, rrahje dhe tortura nga forcat e sigurimit.

N.D./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!