VIDEO | Derbi rivishet bardheblu, Cobbinah thyen mallkimin e kuq

schedule20:56 - 13 Dhjetor, 2019

schedule 20:56 - 13 Dhjetor, 2019

Rekord tifozësh, atmosferë e zjarrtë, ritëm i lartë dhe dominimi i Partizanit merr fund. Cobbinah në minutat shtesë shënoi golin që i dha fitoren me rezultatin 2-1 Tiranës, që nuk triumfonte prej shkurtit të vitit 2014. Festë bardheblu.

Edhe pse mes shumë problemesh e me mungesa, skuadra e Emanuel Egbo ia doli ta thyente Partizanin kampion në fuqi, në një ndeshje ku ishin të pranishëm 20 mijë tifozë. Tanimë të kuqtë rrezikojnë vendin e parë, pasi Kukësi e Bylisi luajnë nesër sfida që mund t’i kalojnë me sukses.

NDESHJA – Takimi nisi me ritëm të lartë dhe Tirana zhbllokoi rezultatin pas tetë minutash lojë. Goli erdhi nga një aksion me protagonistë sy ish-lojtarë të Partizanit. Torassa, brenda zonës krosoi mjaft bukur dhe Idriz Batha me kokë e mposhti portierin Alban Hoxha. Festë që zgjati pak, pasi tre minuta më pas të kuqtë vendosën baraspeshën, me një gol që do të komentohet gjatë pas ndeshjes.

Solomon ishte në pozicion të parregullt kur gjuajti në portë, por anësori nuk mendoi ashtu dhe më pas Jurgen Bardhi e ngjyrosi me të kuqë “Air Albania Stadium”. 1-1 dhe një ndeshej mjaft e fortë, me Tiranën që është mirë në kontrollin topit. Gjithsesi në fund ishte Partizani, që me Cordeiro iu afrua golit të avantazhit.  Pjesa e parë u mbyll 1-1.

E dyta pati të njëjtin ritëm dhe pati disa episode që mund të sillnin golin e fitores. Shtylla i erdhi në ndihmë Partizanit, pas një gjuajtje të Cobbinah, kurse pak më pas ishte Trashi që devijoi një top që shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Bardhi disa minuta nga fundi mund të shënonte me kokë, por ishin bardheblutë që me anë të Cobbinah ia dolën të realizojnë dhe të fitojnë derbin. Të kuqtë iu afruan golit të barazimit, por nuk ishte e thënë. Këtë herë derbi u vesh bardheblu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!