Një pikë e dhënies së kredive qendër të Korçës ka rënë pre e grabitjes mesditën e sotme.
Ngjarja ndodhi në orën 12:00 në lagjen nr.7 të Korçës, ku një person ka kërcënuar me thikë punonjësit dhe ka marrë një sasi parash për t’u larguar më pas me shpejtësi.
Sipas policisë nga kjo pikë e dhënies së kredive janë marrë rreth 92 mijë lekë.
Uniformat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit.
Ai është Dh. D, 25 vjeç nga Korça.
Gjatë kontrollit të vendit përreth, policia gjeti edhe thikën me të cilën autori kërcënoi personelin për të marrë paratë.
Njoftimi i Policisë:
Policia identifikon, lokalizon dhe arreston brenda pak minutash autorin e vjedhjes në një zyrë për dhënie kredie, nën kërcënimin e thikës.
Gjendet dhe sekuestrohet edhe shuma prej 92.800 lekësh të reja dhe thika me të cilën autori kërcënoi personelin për të marrë lekët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së informacionit se në lagjen nr. 7, në një zyrë e cila shërben për dhënie kredie, kishte hyrë një shtetas i paidentifikuar, i cili duke kërcënuar personelin e zyrës me një thikë, dyshohet se ka marrë një sasi lekësh dhe më pas është larguar me shpejtësi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe informacioneve të marra u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Dh. D, 25 vjeç, banues në Korçë, i cili po lëvizte me shpejtësi në një rrugicë, në lagjen nr. 4 Korçë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të autorit, gjetën dhe sekuestruan shumën e lekëve të vjedhura, 92.800 lekë të reja, si dhe gjatë kontrollit të vendit përreth gjetën edhe thikën me të cilën autori kërcënoi personelin për të marrë paratë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”./abcnews.al