Cristiano Ronaldo festoi 36-vjetorin e lindjes ditën e djeshme, teksa sot e festoi me një gol kundër Romës. Juventusi fitoi 2-0 përballë verdhekuqve të Fonsecas, duke i parakaluar këta të fundit në renditje.
Portugezi zhbllokoi takimin në pjesën e parë. Ishte minuta e 13-të kur CR7 befasoi portierin mik me një goditje të befasishme. Goli i 16-të sezonal në Seria për yllin e bardhezinjve. Skuadra e Pirlos iu fal një autogoli për të vulosur suksesin.
Ibanez dërgoi topin gabimisht në portën e tij në minutën e 69-të dhe kjo sfidë nuk kishte më histori. Marash Kumbulla e zhvilloi të plotë ndeshjen për Romën. Mbrojtësi i Shqipërisë u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e dytë.
Dy ndeshjet e luajtura në drekë, prodhuan rezultate surprizuese dhe shumë gola. Atalanta dhe Torino e mbyllën në një barazim spektakolar 3-3 takimin mes tyre. Vendasit shënuan tre gola brenda 7 minutave dhe e panë vetën në avantazh të dyfishtë.
Gjithsesi, miqtë nuk u dorëzuan dhe ia dolën të evitonin humbjen në Bergamo. Berat Gjimshiti e nisi ndeshjen nga stoli dhe u fut në fushë në pjesën e dytë. Spezia siguroi tre pikë fantastike në fushën e Sassuolos pas suksesit 1-2. Ardian Ismajli u fut në fushë në minutën e 53-të për Spezian. /abcnews.al