VIDEO/ Chelsea dështon sërish, djemtë e Potter nuk shkojnë më shumë se barazimi kundra West Ham

schedule15:41 - 11 Shkurt, 2023

schedule 15:41 - 11 Shkurt, 2023

Ka përfunduar në “paqe” transferta e Chelsea kundra West Ham, ku të dyja ekipet arritën të fitonin nga 1 pikë falë barazimit 1 me 1, me “blutë” e Londrës që mesa duket nuk dinë të ruajnë avantazh dhe ta thellojnë atë.

Ndeshja nisi e vrullshme, ku që në minutën e 9’-të, Joao Felix zhbllokoi sfidët, por gjyqtari anësor mendoi se goli ishte i parregullt dhe e akordoi atë si jashtë-loje. Vetëm 7 minutë më vonë në 16’-n minutë, Enzo Fernandez dhuron një asist fantastik në zonë për Joao Felix, i cili shënon sërish këtë herë në mënyrë të rregullt.

Chelsea do të arrinte të shënonte sërish pas vetëm 2 minutash, me anë të gjermanit Kai Havertz, por sërish goli u anullua pasi sulmuesi ishte në pozicionin jashtë-loje.

Në krahun tjetër, West Ham nisi menjëherë ofensivat sulmuese dhe në minutën e 28’-të, ish-lojtari i Chelsea, Emerson ishte i pambuluar në zonë dhe një krosim i bukur i Jarred Bowen bie në këmbët e tij dhe topi dërgohet në rrjetë duke balancuar gjithçka në “London Stadium”.

Në pjesën e dytë të dyja skuadrat provuan të ndryshonin rezultatin, por më kot. I vetmi ndryshim erdhi në minutën e 89’-të, ku Tomas Soucek shënoi për vendasit, por pas një rishikimi të golit me sistemin VAR, avantazhi u anullua, duke e mbyllur kështu ndeshjen në rezultatin e “paqes”, 1 me 1.

Me këtë barazim, Chelsea arrin në kuotën e 31 pikëve dhe qëndron po në vendin e 9-të, në kampionat, ndërsa West Ham tashmë ka arritur në kuotën e 20 pikëve dhe tashmë ndodhet në vendin e 15-të, vetëm 2 pikë larg nga zona e “ftohtë” e rënies nga kategoria. /i.m /abcnews.al

SHIKONI GOLAT