Forcat speciale dhe efektivë të Policisë së Shtetit ndodhen ende në Fier tek pallati ku u bë i mundur arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për 7 vrasje.
Efektivët e policisë po ushtrojnë kontroll të imtësishëm, por po mbledhin dhe fakte nëse mund të ketë patur persona të tjerë, veç atij që u arrestua nën shoqërinë e Dumanit.
Kujtojmë që arrestimi i Dumanit u bë i mundur pas një telefonate në Policinë e Shtetit, e cila kishte ngritur postblloqe të shumta, pas ngjarjes në Papër të Elbasanit ku pati shkëmbim armësh mes dy mjeteve.
Dumani pas arrestimit fillimisht u transportua në spitalin e Fierit ku ju dha ndihma mjekësore pasi kishte marrë një plumb në trup, dhe më pas u dërgua drejt Tiranës.
Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, por dyshohet se Dumani është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me një tjetër mjet, ku mendohet të ketë qenë rivali i tij i betuar Talo Çela, i cili dikur ka qenë dhe miku i tij i ngushtë.
Çarja mes Çelës dhe Dumanit erdhi pasi ky i fundit i ekzekutoi vëllain me urdhër të Endrit Alibejt.
/T.H/Abcnews.al/

