Analistët në Serbi mendojnë se vizita e kreut të diplomacisë europiane në Beograd do të jetë më tepër në kuadër këshillues, ndaj nuk presin ide apo vendim për sa i përket dialogut me Kosovën.
Josep Borrell sjell një porosi që pa Bashkimin Europian nuk ka zgjidhje të problemit të Kosovës. Vetë diplomati ka theksuar në një intervistë për agjencinë serbe “Tanjug”, se do të jetë personalisht i përfshirë në negociata. Serbia e pret vizitën e tij si një konsultë fillestare, por jo ndonjë ide apo vendim.
Analisti Dushan Spasojevic, thotë se Uashingtoni ka treguar që ka një plan më konkret me veprimet e fundit në nxitjen e dialogut. Por, BE nuk mund të anashkalohet të paktën si kornizë pasi megjithatë ky është një problem europian.
Dushan Spasojevic, nga fakulteti i Shkencave Politike: “Ajo që kemi parë si zgjidhje e konflikteve të mëhershme në rajon është që amerikanët marrin një rol më të rëndësishëm në vetbërjen e marrëveshjes, kurse Europës i mbetet zbatimi i saj. Ky është një mekanizëm që do ta shohim. Por, pa karrocën europiane është e pamundur”.
Por, Bojan Bilbija nga e përditshmja beogradase “Politika”, thotë se ka tentime, por dialogu nuk ekziston pasi atë e pengon tarifa doganore e Kosovës. Serbët dhe Serbia duan marrëveshje dhe zgjidhje, por sipas analistit, ajo që serbët do ti kënaqte është e qartë.
Bojan Bilbija, gazeta Politika: “Se çfarë dmth kjo konkretisht do të përcaktohet nga negociatorët, por kompromisi thotë që askush të mos i humb të gjitha dhe të gjithë të fitojnë nga pak. Kjo do të ishte e pranueshme. Kemi qenë afër një zgjidhjeje të tillë kur është bllokuar dialogu me vendosjen e tarifave”.
Borrell, në Serbi do të takohet me Presidentin dhe Kryeministren në dy takime të ndara. /abcnews.al