Vuajnë, por në fund arrijnë fitoren. “Katalanasit” e Barcelona e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, vitin 2024, teksa mbrëmjen e së enjtes, që sapo lamë pas arritën të fitonin me përmbysje, transfertën e “Estadio de Gran Canaria”, ku mundën skuadrën e Las Palmas, me rezultatin e ngushtë, 1 me 2, në përballjen e vlefshme për javën e 19-të të La Liga.
Siç theksuam edhe më lart, fitorja e djemve të teknikut Xavi erdhi me përmbysje, me golin e parë të sfidës, që erdhi nga vendasit e Las Palmas, me këta të fundit, që nisën festën në minutën e 12’-të të pjesës së parë, ku pas një paimi të Ramirez, ish-talenti “Blaugrana”, Munir El Haddadi ndëshkoi ekipin e tij, për të marrë epërsinë në këtë sfidë të vështirë.
Mirëpo, epërsia do të zgjaste deri në minutën e 55’-të, aty ku në protagonist kthehet ish-“ylli” i Manchester City, Ferran Torres, me spanjollin, që pasi merr një pasim perfekt nga Sergi Roberto nuk gabon përballë portës duke çuar topin në rrjetë për të barazuar shifrat, me një goditje fantastike nga brenda zonës.
Përpjekjet ishin të shumta për të gjetur golin e avantazhit, me teknikun spanjoll, që hodhi në fushë edhe blerjen më të re, Vitor Roque, me 18-vjeçarin, që nuk pati 13 minutat më të mira në karrierë mbrëmjen e djeshme, por sërish fitorja erdhi, pasi në minutën e 93’-të një penallti e ekzekutuar më së miri nga “katalizatori” i mesfushës, Ilkay Gundogan përfundon në rrjetën kundërshtare, për t’i siguruar kështu skuadrës së tij 3 pikët e para të sezonit.
Falë këtij rezultati, “Katalanasit” e Barcelona ngjitet në kuotën e 41 pikë, duke u pozicionuar kështu në vendin e 3-të të tabelës, me 7 pikë më pak se udhëheqësit e La Liga, Real Madrid e Girona, si dhe 3 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Athletic Bilbao e Atletico Madrid, ndërsa skuadra e Las Palmas mbetet në vendin e 10-të me 25 pikë, 1 më pak se Getafe e Valencia. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT: