Mbyllen pa gola dy takimet e orës 15:00 në Serie A: Roma-Sassuolo dhe Parma-Benevento. Në program ishte edhe dueli Udinese-Atalanta, takim që nuk u zhvillua për shkak të motit të keq dhe shirave të rrëmbyeshëm që kanë pushtuar Friulin.
Marash Kumbulla u rikthye titullar te Roma pas mungesës për shkak të infektimit me Covid-19. Sfida e luajtur në “Olimpico” ishte e luftuar, por nuk pati fitues. Pedro la vendasit me një lojtar më pak në minutën e 41-të.
Spanjolli mori kartonin e dytë të verdhë dhe e mbylli ndeshjen para kohe. Në minutën e fundit të fraksionit të parë të takimi, Mkhitaryan gjeti golin, por VAR-i prishi festën e armenit. E njëjta gjë i ndodhi edhe miqve në pjesën e dytë. Ishte minuta e 75-të kur sllovaku Lukas Haraslin realizoi një gol shumë të bukur, por VAR-i anuloi golin.
Përfundimisht 0-0, me dy ekipet që vazhdojnë të renditen në pozicionet e sipërme të tabelës. Pa gola edhe sfida mes Parmës dhe Beneventos. Pikë pozitive për ekipin e Pippo Inzaghit, që regjistron ndeshjen e tretë radhazi pa humbje në kampionat.
Më herët u luajt edhe takimi Hellas Verona-Cagliari. As në Verona nuk pati fitues, dy skuadrat realizuan nga një gol dhe ndanë nga një pikë, në një ndeshje ku nuk mungoi goli i anuluar për vendasit si dhe goditja e shtyllës dhe traversës.
Mattia Zaccagni kaloi në avantazh ekipin e Ivan Juric në pjesën e parë, teksa miqtë sard barazuan takimin dhe evituan disfatën falë golit të rumunit Razvan Marin në minutat e para të fraksionit të dytë të përballjes. /abcnews.al
Serie A, java e dhjetë
Hellas Verona-Cagliari 1-1
(Zaccagni 21′ / Marin 48′)
Roma-Sassuolo 0-0
Parma-Benevento 0-0