VIDEO/ Atalanta thyen Juventusin, “manita” e Lazios. Festë pa pikë për Ismajlin

schedule16:58 - 18 Prill, 2021

schedule 16:58 - 18 Prill, 2021

Atalanta thyen Juventusin, teksa fitojnë edhe Lazio e Bologna. Ekipi bergamask ia doli të fitonte 1-0 në Bergamo kundër kampionëve në fuqi, duke siguruar një trepikësh fantastik dhe tepër të rëndësishëm për objektivin Champions League.

Golin e fitores e realizoi Ruslan Malinkovsky në minutën e 87-të. Ukrainasi gjeti rrjetën falë një goditje potente, por pati edhe fat pasi topi u devijua nga Alex Sandro. Vendi i tretë në renditje për ekipin e Berat Gjimshitit (titullar si gjithmonë).

Mungesa e Cristiano Ronaldos ndikoi te bardhezinjtë e Pirlos, që mund të zbresin në vend të pestë nëse Napoli fiton në mbrëmje kundër Interit. Lazio vazhdon të mbetet në garë për një biletë në Champions League.

Bardhekaltrit mposhtën 5-3 në shtëpi Beneventon e Pippo Inzaghit. Miqtë shënuan dy autogola, teksa Immobile (2x) dhe Correa plotësuan “manitën” e skuadrës kryeqytetase. Immobile humbi edhe një penallti, teksa VAR-i anuloi një gol të skuadrës mike.

Feston edhe Bologna pas suksesit 4-1 kundër Spezias. Ekipi i Mihajlovic u rikthye te fitorja pas dy javëve, teksa golin e vetëm të skuadrës mike e realizoi Ardian Ismajli, i cili gjeti golin e parë në elitën e futbollit italian. /abcnews.al