Anglia është finalistja tjetër e Kampionatit Europian. Skuadra e Gareth Southgate ka arritur mes shumë vështirësish të fitojë me Danimarkën pas 120 minutash me shifrat 2-1, pas një tjetër ndeshje të jashtëzakonshme të këtij kompeticioni të paharrueshëm ndër breza.
Anglia e nisi me shumë vrull ndeshjen me ndjenjën për ta mbyllur sa më shpejt çështjen e kualifikimit, por nuk ndodhi kështu. Me kalimin e minutave Danimarka mori terren dhe e ekuilibroi betejën, duke vizituar portën e Pickford.
Madje golin e parë e shënuan pikërisht miqtë. Ishte talenti i Sampdorias dhe një nga yjet e këtij Europiani, Mikkel Damsgaard, i cili gjuajti në mënyrë perfekte një goditje dënimi në minutën e 30 dhe i dha avantazhin skuadrës së tij.
Ky ishte goli i parë në 50 ndeshje të këtij Europiani, që shënohet me goditje dënimi. Pas golit të pasuar, Anglia ishte shumë më agresive dhe këmbëngulëse. Danimarka armë të vetme kishte kundërsulmin, por barazimi i “Tre Luanëve” nuk vonoi.
Në minutën e 39, Bukayo Saka shpërtheu në të djathtë dhe pasoi në qendër të zonës, me Simon Kjaer, që tundi rrjetën e tij dhe mbylli pjesën e parë në barazim 1-1. Në pjesën e dytë ishte Anglia që dominoi dhe kishte shanset më të mira, gjithsesi nuk mund të flasim për mundësi flagrante.
Bie në sy një pritje e bukur e Kasper Schmeichel ndaj goditjes me kokë të Maguire. Pas minutës së 70 nisi të luajturit e frikës. Anglia ishte më sulmuese, por mendonte gjithashtu shumë për mbrojtjen. Danimarka u mblodh e gjitha në 20 metra dhe mundi të mbyllë 90 minutat plus 6 shtesë në barazim 1-1.
Në shtesë Anglia ishte një “bishë” e vërtetë. Me hyrjen e Foden u rrit akoma më shumë rreziku dhe presioni në portën e Schmeichel. Ky i fundit ishte thjesht i jashtëzakonshëm, duke pritur disa goditje të lojtarëve të Southgate, por në fund edhe ai u dorëzua.
Në minutën e 104-t Sterling fitoi me shumë zgjuarsi dhe dinakëri një penallti në zonë mes shumë danezëve. Harry Kane e mori përsipër të godasë penalltinë. Heroik ishte edhe në këtë rast portieri danez sepse e priti fillimisht penalltinë e Kane, por më pas sulmuesi i Spurs e ktheu në rrjetë.
Pas golit Anglia nisi fazën e kujdesit. Mbajtje topi, Danimarkën larg nga porta dhe siguri me topin në këmbë. Ky mision u arrit me sukses. Anglia fiton 2-1 dhe çon peshë gjithë kombin e saj, duke arritur për herë të parë në histori në finale të Europianit. Atje i pret Italia. Ndeshja luhet të dielën në të njëjtin stadium: mitiku “Wembley”. /abcnews.al